New York – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mon.
Kryeministri Thaçi e njohu Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Mon me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me faktorët relevant ndërkombëtar, dy muajt e fundit ka ndërmarrë disa veprime për të vendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Kryeministri Thaçi theksoi se veprimet e Republikës së Kosovës në veri janë plotësisht në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit si dhe ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se veprimet që janë paraparë në planin operacional të veprimit dhe që janë duke u zbatuar në pjesën veriore të Kosovës, vetëm se e fuqizojnë parimin themelor që garantohet edhe me rezolutën 1244 se Kosova është një njësi doganore.
Kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që në Kosovë të luftohet krimi dhe dukuritë e tjera negative, të cilat fatkeqësisht që prej 12 vitesh janë toleruar në pjesën veriore të Kosovës.
Në takim gjithashtu u bisedua edhe për dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në kuadër të kësaj bisede Kryeministri Thaçi theksoi se “dialogu me Beogradin është i rëndësishëm sepse Kosova është shtet që dëshiron të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe se zgjidhja e problemeve praktike është jetike”.
Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se “është jetike që marrëveshjet e arritura të respektohen nga Serbia. Kosova është e përkushtuar ta implementojë pjesën e saj të përgjegjësive që dalin nga marrëveshjet, dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia”.
Monday, 19 September 2011 08:18