Lajme Shqip Sunday, 25 September 2011 08:21

Nju Jork – Kryeministri Sali Berisha u bëri djethirrje vendeve anëtare të OKB-së të njohin Republikën e pavarur të Kosovës, që është kthyer në një faktor të rëndësishëm të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.

Në fjalën e mbajtur në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Berisha theksoi se “Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj direkt dhe në tërësi me vendet e rajonit”.

“Ne kemi vullnet të plotë të zhvillojmë dhe konsolidojmë më tej marrëdhëniet edhe me Republikën e Serbisë. Sikundër kam kënaqësinë t’ju siguroj se një vullnet i tille ekziston edhe në qeverinë e Kosovës për marrëdhënie të mira me fqinjët”, tha Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur te pavarësia e Kosovës, Berisha i’u referua vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila vendosi korrikun e vitit të kaluar se, shpallja e pavarësisë se Kosovës ishte në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.

Ai vuri në dukje se “Republika e Kosovës është njohur tani nga mbi 80 vende të botës”. “I bëj thirrje Serbisë, e cila shfrytëzoi këtë forum të lartë për t’ju drejtuar Gjykatës së Hagës, të përshtatë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, në përputhje me vendimin e kësaj Gjykate, duke dëshmuar se pranon dhe respekton ligjin ndërkombëtar në tërësi dhe jo vetëm ato pjesë që i interesojnë”, tha më tej Berisha.

Sipas Kryeministrit Berisha, “marrëdhëniet ndëretnike në të gjitha zonat ku shqiptarët dhe serbët jetojnë në komuna të përbashkëta janë shumë të mira, por megjithatë, struktura paralele të paguara nga Beogradi, në tre komuna homogjene serbe në veri të Mitrovicës, ku nuk ka grupe të tjera etnike, i ka shndërruar ato në vatra të krimit të organizuar dhe kontrabandës të të gjitha llojeve”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të zbatojë shtetin ligjor në këto komuna dhe kontroll efektiv të kufijve dhe doganave, në përputhje të plotë me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe me dokumentin e Presidentit Ahtisaari”, tha Berisha.

Sipas tij “përpjekjet e Beogradit, për të mbajtur struktura paralele autoriteti në këto tre komuna të Kosovës, dëshmojnë se ende besohet tek një ndryshim i kufijve në rajonin tonë, të bazuar mbi një ide të tejkaluar e të dështuar të vendeve etnikisht “të pastra” dhe Serbisë se madhe”.

Kryeministri Berisha komentoi edhe raportin e senatorit Dick Marti për gjoja trafik organesh dhe varre masive të kryera nga shqiptaret, në territorin e Shqipërisë. Sipas tij “ky raport nuk paraqet qoftë edhe një fakt të vetëm, por qëllimi i tij është të zhvendosë vëmendjen nga vendimi i Gjykatës së Hagës, pro pavarësisë së Kosovës”.

Përsa i përket kërkesës për anëtarësimin e Palestinës në OKB, Berisha tha se “Qeveria shqiptare e mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur, por besoj se veprimet e njëanshme nuk do të jenë të dobishme”. “Prandaj i bëj thirrje miqve tanë palestinezë të mbështesin deklaratën e djeshme të kuartetit, në të cilën ata paraqitën një udhërrëfyes të qartë veprimesh, për të adresuar këtë çështje thelbësore të kohës sonë”, tha ai.