Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 09:16

New York – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me kryeministrin, Hashim Thaçi dhe ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj, u prit dje në selinë e OKB-së, nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës kosovare, gjatë takimit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, vlerësoi arritjet në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me misionet ndërkombëtare në vend.

Ai tha se është i rëndësishëm koordinimi i institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse KFOR dhe EULEX-i në vendosjen e qetësisë në veriun e Kosovës.

Ban Ki Moon tha se me rëndësi është vendosja e rendit dhe ruajtja e stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës. Ai tha se çështjet e hapura ndërmjet palëve duhet të zgjidhen me dialog dhe se Plani Ahtisaari ofron mundësitë më të mira për komunitetin serb.

Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me OKB-në dhe në veçanti me misionin e UNMIK-ut. Ajo tha se aksioni i përbashkët i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore me Serbinë, dëshmon partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Përsa i përket situatës në veri, Jahjaga tha se, me planin operacional të qeverisë, Kosova po respekton dokumentet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e saj. Presidentja tha se e kundërshton fuqishëm ndarjen e Kosovës dhe rregullimin e brendshëm territorial. Ajo tha se propozimi gjithëpërfshirës i Martti Ahtisaarit ofron vetëqeverisjen optimale për komunitetin serb dhe ky komunitet ka marrë përgjegjësitë e plota në qeverisjen lokale dhe atë qendrore.

Presidentja Jahjaga tha se, statusi special për veriun e Kosovës do të rrënonte këto arritje dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes. Ajo tha se, Kosova do që të vendos rendin dhe ligjin dhe normalitetin si dhe t’i jap fund mosndëshkimit me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shtrirjes së kushtetutshmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim, që jetojnë në veri.