Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 16:03

Prishtinë – Kosova ka pikësynim kryesor rendin dhe ligjin, tha zv/kryeministri e ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot në Ohër, në Forumin ndërministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ku mori pjesë në diskutimet dhe prezantimet në temën e pavarësisë gjyqësore dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai ka shpalosur arritjet në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe sfidat. “Rendi dhe ligji janë pikësynimi kryesor i Republikës së Kosovës, bashkë me të gjithë aktorët shtetëror dhe joshtetërorë, duke përfshirë mediat dhe shoqërinë civile”, theksoi Kuçi

Nëpërmjet këtyre mekanizmave, shtoi ai, do të avancojmë vlerat e përbashkëta në mënyrë që të përafrohemi edhe më tej në integrimet evropiane dhe gjithashtu do ta ndihmojmë rendin demokratik dhe zhvillimin ekonomik, të cilat janë synimet dhe kriteret kryesore për anëtarësim në BE.

“Vullnetin politik e materializojmë në barazi të plotë të pushteteve duke e veçuar gjyqësorin si pararojën kryesore për sundimin e ligjit”, tha zv/kryeministri e ministri i Drejtësisë i qeverisë së Kosovës.

Kuçi ka vlerësuar reformat në legjislacion që po i ndërmerr qeveria kosovare përmes hartimit të ligjeve moderne dhe mbështetjes së plotë për rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.