Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 16:00

Tiranë-Ekspertët e ODIHR-t, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, të cilët ndodhen në Tiranë, shprehën të mërkurën gatishmërinë për të asistuar procesin e reformës zgjedhore në Shqipëri, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur.

Dy ekspertët u pritën sot nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se 53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma jonë zgjedhore.

Duke falënderuar përfaqësuesit e ODIHR-it për kontributin dhe mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë për reformën elektorale, kryeparlamentarja vlerësoi përfundimet e raportit të ODIHR, që i cilëson zgjedhjet e fundit “kompetitive dhe transparente”.

“Këto zgjedhje, tha ajo, ishin më transparentet dhe u zhvilluan me një sistem demokratik zgjedhor të propozuar nga PS e të miratuar me konsensus të plotë nga socialistët e demokratët në Parlament. Po ashtu, opinioni i përbashkët i ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias përbën një dokument ligjor profesional, i cili shërben si plan pune në zbatimin e 53 rekomandimeve për zgjedhjet, të cilat janë çështje standardi dhe jo çështje partiake.”

Eksperti Pilgrim, njohës i mirë i çështjeve zgjedhore dhe proceseve elektorale në vendin tonë tha se, Shqipëria ka një progres shumë evident përsa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve zgjedhore.

Ekspertët e ODIHR-t thanë se “jemi maksimalisht të gatshëm për të asistuar në reformën zgjedhore në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur.” Ata shprehën bindjen në cilësinë e lartë të ekspertizës shqiptare.

Kryetarja Topalli dhe ekspertët e ODIHR-it u shprehën optimistë për një reformë zgjedhore cilësore, e cila do të jetë materializim i rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it, dhe do të miratohet brenda afatit të duhur kohor.

Ekspertët e ODIHR janë ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë për t’i ofruar asistencë komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore në hartimin e amendamenteve të kodit zgjedhor, para zgjedhjeve parlamentare të 2013-s.

Në vizitën e tyre treditore në Tiranë ata do të takohen me anëtarët e komisionit të posaçëm dhe grupin e ekspertëve teknikë të zgjedhjeve, si dhe me përfaqësues të partive të vogla politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)