Tiranë -Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ose sic njihet ndryshe si ODIHR, përsërit qëndrimin se është ende herët që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të futen të përdorim teknologjitë e reja të votimit. 
Zëdhënësi i ODIHR Thomas Rymer, sqaron “Në raportet e zgjedhjeve tona të mëparshme, kemi rekomanduar që teknologjitë e reja të votimit, përfshirë numërimin elektronik të votave, duhet të implemetohen në mënyrë graduale, hap pas hapi dhe jo e gjitha menjëherë. Këtë këshille e kemi paraqitur në mënyrë konsekuente në takimet tona me partitë politike në Shqipëri, përfshirë edhe në tryezen e zgjeruar për cështjet zgjedhore që u mbajt në muajin mars, por edhe në vizitat e ekspertëve tanë javët e kaluara”.
Partitë e vogla opozitare kundërshtojnë ashpër rekomandimet e ODIHR për të mos numëruar në mënyrë elektronike fletët e votimit dhe verifikimin e kartave të të identitetit.
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi në një dalje për mediat sëbashku me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e kundërshtuan ashpër këtë rekomandim, madje sipas tyre ky është një cënim i rëndë i procesit të ardhshëm zgjedhor.
“Ne na vjen keq dhe denoncojmë faktin që përfaqësues të ODIHR po kryejnë po të njëjtin rol si misioni i OSBE-së në Tiranë, i cili u tall më shqiptarët para zgjedhjeve lokale duke thënë se nuk ka kohë për reformë, reforma do të bëhet pas zgjedhjeve. Tani shohim që del ODIHR dhe deklaron e nuk ka kohë pas 7 muajsh, pune gjoja intensive. Dhe 1 vit para zgjedhjeve priten. Kështu që kjo absolutisht është e papranueshme dhe është politike. Është blerje opinioni dhe qëndrimi. Nuk është qëndrim profesional”,- deklaroi kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi.
“Na ka dalë në plan të ditës deklaratat e ODIHR, të cilat janë të rrezikshme për tërësinë e procesit zgjedhor që mund të zhvillohet në Shqipëri dhe që minojnë nëse do të ecet me frymën e ekpertëve të ODIHR, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, drejtësinë e tyre dhe garancinë e tyre për të qënë të lira dhe të ndershme,- theksoi kryetari i PDS-së Paskal Milo.
Dy kryetarët e partive, pjesë e opozitës së bashkuar kanë lëshuar një tjetër apel ndaj partive të mëdha dhe komisionit të reformës zgjedhore që të marrin në shqyrtim propozimet e tyre për korrektim kombëtar të sistemit. (B.W)
Monday, 14 May 2012 20:37