Shkup – Pirja e duhanit është problemi kryesor dhe shkaku prijës për mortalitetin në botë. Këtë vit 5, 4 milionë njerëz do të vdesin nga epidemia globale e duhanit dhe sëmundjet që janë të ndërlidhura me këtë faktor të rrezikshëm, më shumë sesa që vdesin nga HIV-SIDA, malaria dhe tuberkulozi, kombinuar së bashku. Çmimin që e paguajnë duhanpirësit në dëm të shëndetit të tyre, rritet në mënyrë rapide. Për dy dekada do ta arrijë numrin prej 8 milionë rasteve të vdekjes në vit.
Sipas analizave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar me rastin e 31 majit – Ditës botërore kundër pirjes së duhanit, nëse nuk ndërmerren masa serioze, miliarda njerëz mund të vdesin nga përdorimi i duhanit gjatë shekullit 21.
Pirja e duhanit merr 12 – 20 vjet nga jeta dhe është shkak për 21 për qind të rasteve të vdekjes. Në rajonin evropian, prevalenca e pirjes së duhanit është rreth 28, 6 për qind me dallim të madh gjinor, respektivisht 40 për qind e burrave dhe 18, 2 për qind e grave janë duhanpirës. Në mesatare, 24 për qind e popullatës së re të moshës prej 15 vjetëve janë duhanpirës. Sipas informacioneve të fundit, shkalla mesatare e mortalitetit për Evropë është 35,2 në 100. 000 banorë nga sëmundjet të ndërlidhura me pirje të duhanit. Rreth 600.000 njerëz, nga të cilët një e katërta janë fëmijë, do të vdesin nga ekspozimi në tym të cigares ose të ashtuquajtur pirje pasive.
Në Republikën e Maqedonisë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pothuajse 21 për qind e të gjitha rasteve të vdekjes të moshës mes 35 dhe 69 vjeçare janë për shkak të pirjes së duhanit.
Monday, 30 May 2011 13:02