Washington-Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi dje strategjinë e re të mbrojtjes e cila parashikon një reduktim të trupave dhe shpenzimeve për ushtrinë amerikane dhe ndryshimin e fokusit të saj drejt rajonit të Azisë së Paqësorit.
“Ushtria amerikane po kthen faqen pas një dekade luftë”-tha Obama, i cili pranoi se ushtria amerikane po përballet me një moment tranzicioni.
Duke folur në një konferencë për mediat shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ushtria amerikane do të pakësohet dhe do të ndryshojë fokusin drejt rajonit të Azisë së Paqësorit, megjithëse do të vazhdojë të ruajë superioriten e saj.
Në një paraqitje të rrallë në Pentagon, bashkë me sekretarin amerikan Leon Panetta, Obama paraqiti një rishikim të strategjisë së mbrojtjes që parashikon shkurtimin e mijëra trupave.
“Po ushtria jonë do të jetë më e pakët, por bota duhet ta dijë se SHBA-të do të vazhdojnë të ruajnë superioritetin ushtarak me forca të armatosura që janë të shpejta, fleksibël dhe të gatshme për një shkallë të plotë kontigjentesh dhe kërcënimesh”-tha Obama.
Presidenti amerikan tha se SHBA-të kanë nevojë që të rinovojnë fuqinë e tyre ekonomike ndërsa Pentagoni përballet me shkurtime prej 450 miliard dollarësh gjatë dekadës së ardhshme.
Nga ana e tij, sekretari amerikan i mbrojtjes, Panetta tha se ky ndryshim i strategjisë do ti bëjë SHBA-të më fleksibël dhe të gatshme për tu pozicionuar me shpejtësi.
Por ai paralajmëroi se shkurtimet e mëtejshme të buxhetit ushtarak me të cilat Pentagoni mund të përballet në fund të vitit mund të kërcënojnë aftësinë e ushtrisë për të funksionuar me kapacitet të plotë. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 08:34