Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 19:08

Nju Jork – Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, u mbajt takimi  i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës së Adriatikut, të organizuar nga Shqipëria në Cilësinë e  Presidencës së radhës.

Në këtë takim merrnin pjesë Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina si edhe Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Numri dy i qeverisë shqiptare vlerësoi Kartën e Adriatikut si një element i rëndësishëm për anëtarësimin në NATO, duke uruar që edhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësohen në një kohë sa më të afërt.

Haxhinasto theksoi se është mjaft e rëndësishme që politika e dyerve të hapura mbetet në qendër të vëmendjes së Aleancës duke nëvizuar se “Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë të gjithë vendet e rajonit për t’ju bashkuar Aleancës sa më shpejt”.

Vendet e Kartës së Adriatikut (A-5) zhvillojnë një seri aktivitetesh të përbashkëta në kuadër të Aleancës, si në Afganistan, apo bashkëpunojnë ngushtë  për çështje të tilla si emergjencat civile, rajoni, etj.

Kjo eksperiencë do të forcohet edhe më tej, tha z. Haxhinasto, gjatë kryesisë shqiptare.

“Diferencat që mund të ekzistojnë midis vendeve të rajonit duhet të konsiderohen nën optikën dhe parimin se të gjithë ne ndajmë një të ardhme të përbashkët, e cila duhet të jetë me më tepër stabilitet, bashkëpunim, zhvillim dhe përparim”, ka theksuar kryediplomati shqiptar.