Brukseli tashmë ka bërë të ditur qëllimet për të mbuluar faturën e shpenzimeve për Gjykatën Speciale e cila do të trajtojë krimet e luftës në Kosovë, që supozohet se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ende asnjë euro nuk është ndarë nga vendet anëtare për këtë çështje.
Burime diplomatike kanë bërë të ditur se nga 180 milionët që duhen për këtë Gjykatë, nuk janë siguruar ende asnjë.
Siç mëson Gazeta Express, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se janë të gatshme të mbulojnë vetëm shpenzimet e prokurorit. Siç dihet, prokurori aktual i Taskë Forcës është amerikan, ndërkohë që edhe ai paraprak ka qenë amerikan.
Kur është fjala për çështjen e shpenzimeve, një zëdhënëse e MPJ’së së Holandës në një përgjigje për Express kishte thënë se nuk mund të japin asnjë informacion.
“Qeveria e Holandës ende nuk ka marrë ndonjë vendim se a do të jetë nikoqire e Tribunalit të përmendur” ka thënë Chris Bakker, zyrtar për informim në MPJ’në e Holandës.
Bakker ka thënë se “si rezultat i kësaj ende nuk mund të japim informacione rreth lokacionit, shpenzimeve apo përzgjedhjes së gjyqtarëve”.
Ndryshe, dje është raportuar se Holanda është duke refuzuar të nënshkruaj marrëveshje që Gjykata Speciale të fillojë punën pa qenë Kosova anëtare e Këshillit të Europës në mënyrë që të akuzuarit dhe të dënuarit potencialë të mund të ankohen në Gjykatën e Strasburgut e cila është trup i KE-së.
Thursday, 24 September 2015 19:07