Tiranë – Ish- ministri i Ekonomise, Dritan Prifti, reagoi lidhur me raportin e ekspertëve shqiptarë, që e konsideruan videon “Meta -Prifti” si jo origjinale.
“Videoja që u bë nga ora kamer ishte origjinale dhe kjo është një provë e padiskutueshme. U njoha me vendimin e ekspertëve dhe mendoj se ata mbrojtën Ilir Metën para Gjykatës “, tha Prifti.
Në vazhdim të reagimit të tij, ish- ministri Prifti kërkoi realizimin e një ekspertize te re të videos së tij. Tre ekspertë shqiptarë, publikuan sot në një seancë në Gjykatën e Lartë, rezultatin e ekspertizës për videon Meta -Prifti, që e konsideron videon jo autentike.
Ekspertiza e videos u urdhërua nga Gjykata e Lartë, për llogari të procesit në ngarkim të ish -zv/kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar për ‘korrupsion’.
Procesi ndaj Metës nisi pas publikimit në media të video- përgjimit, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Prifti, në një bisedë për disa tendera te ministrisë.
Ndryshe nga ish-ministri Prifti, zoti Meta e ka konsideruar videon si të manipuluar dhe një shantazh për dëmtimin e imazhit të tij.
Monday, 31 October 2011 18:06 