Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 17:20

Tiranë – Bordi i Komisionerëve në Entin Rregullator të Energjisë (ERE) vendosi sot mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla
për vitet 2012-2014, ndërsa duke nisur nga 1 janari 2012 konsumatorët do të kenë një kontratë të re për furnizimin me energji elektrike me kompaninë CEZ.

Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kWh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 L/kWh mbi këtë kuotë dhe këto çmime do të vijojnë në tre vitet në vijim.

Bordi shqyrtoi sot aplikimet e kompanive që ushtrojnë aktivitet të rregulluar në sektorin e energjisë elektrike për kërkesat e tyre mbi tarifat e reja të çmimit të energjisë për periudhën 2012-2014. Bordi nuk pranoi kërkesën e CEZ-it për rritje të tarifës me 4,6% më shumë se 2011-ta.

Bordi i ERE-s vendosi që KESH t’ja shesë CEZ-it energjinë me 2,83 lekë/kwh, nga 5,2 lekë/kwh e kërkuar,  ndërsa tarifa aktuale është 0.63 L/kWh deri në 31 dhjetor 2012.

Për OST, Bordi vendosi për vitet 2012-2014 tarifën prej 0,65 lekë/kwh nga 0,6 lekë/kwh që është aktualisht. Vetë OST kërkoi rritjen e tarifës mesatare të shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike me 0.73 lekë/kwh.

Në 30 nëntor ERE zhvilloi një debat publik me grupet e interesit ku u dëgjuan argumentat e OST, KESH dhe CEZ për çmimet e reja të energjisë për vitet 2012-2014.

ERE nisi në 27 shtator shqyrtimin e kërkesave për rritje të çmimit të energjisë për vitin 2012 nga kompanitë CEZ, KESH, OST, etj. (LajmeShqip.com)