Lajme Shqip Thursday, 06 March 2014 13:07

Sipas ekspertëve, rekomandimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës, vlerësohet si rekomandim profesional i dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, në përputhje me rrethanat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës. 

Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, vlerëson se procesi i ngritjes së një force të armatosur, kërkon rreth 10 vjet. Sipas tij, procesi do të ballafaqohet me një varg barrierash, të cilat duhen tejkaluar. Barriera e parë është pamundësia buxhetore që ky proces të zhvillohet shpejt. Ai shton se aftësimi i specialistëve dhe komandantëve kërkon kohë, sidomos nëse kihet parasysh që akademitë ushtarake zgjasin 3 deri në 5 vjet. 

Barrierë tjetër, sipas tij, do të jetë edhe vlerësimi i rrezikshmërisë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe vlerësimi se nga cila forcë në rajon mund të vijë ky rrezik. Ai thotë se ky rrezik është potencial vetëm nga Serbia dhe në përputhje me forcat e saj, duhet të ngrihen kapacitetet e Forcës së Armatosur të Kosovës. 

Si barrierë në këtë proces ai sheh edhe çështjen e marrëveshjes së Kosovës me NATO-n. Maloku ka theksuar se Kosova është e orientuar drejt integrimit në NATO dhe në strukturat euro-atlantike dhe çështja e ngritjes së Forcës së Armatosur të Kosovës do të varet edhe nga planet që ka NATO për rajonin. Sipas tij, në qoftë se Kosova dhe rajoni integrohen në NATO, atëherë kjo e fundit do të përcaktojë edhe numrin e pjesëtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës, cilësinë e pajisjeve për të  dhe llojin e armatimeve.