Njësia Speciale e Kosovës sot është duke qëndruar në gjendje gatishmërie për shkak të ndonjë proteste të mundshme.
Kështu thonë burime të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës. Gatishmëria e Njësisë Speciale vjen për shkak të seancës së sotme dhe paralajmërimit të përfaqësuesve të opozitës për veprime të reja për pengimin e mbajtjes së mbledhjes së sotme të Kuvendit.
Ndryshe, pas gazit lotsjellës, që hodhi opozita javën e kaluar brenda sallës së Kuvendit, Kryesia ka marrë vendim që t’i shtrëngojë masat e sigurisë me kontroll të rreptë të deputetëve me qëllim të mos lejimit të futjes së armëve dhe mjeteve të rrezikshme brenda ndërtesës së Kuvendit.
Vendimit të kontrollit të detajuar do t’i nënshtrohen duke filluar nga kryetari i Kuvendit dhe stafi i tij përcjellës, deputetët bashkë me stafin, ministrat, nëpunësit e Kuvendit, gazetarët dhe gjithë vizitorët, por kjo rregull nuk do të aplikohet edhe për delegacionet e jashtme ndërkombëtare.
Thursday, 15 October 2015 09:42