Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 19:34

Prishtinë – Liderët e partive politike dje janë dakorduar që Kosova të ketë një zonë zgjedhore, por ky vendim për shoqërinë civile dhe monitoruesit e zgjedhjeve paraqet kthim në pikën zero dhe një hap mbrapa për demokracinë në vend. Madje shfaqin shqetësimin se kështu si ka filluar, kjo do të qoj në një vendim tjetër tek listat e mbyllura që është edhe një dëm më i madh.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Kosovapress se gjithçka që është bërë për këto dy vite ka shkuar huq me vendimin e djeshëm.

“Realisht marrëveshja e djeshme ishte kthim në pikën zero. E para ishte në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe marrëveshjen të cilën e kishin artikuluar këta lider para dy viteve dhe e dyta mendoj që ishte kundër vet interesave të qytetarëve të Kosovës të cilët kanë aspiruar për një reformë të mirëfilltë elektorale. Domethënë kishim dy vite përpjekje maksimale të komisionit për të draftuar ligjin, kishim dy vite debate, tryeza organizime të ndryshme të shoqërisë civile dhe partive politike dhe pothuajse se krejt ky debat në fund derivoj me anulim të krejt asaj kohe”, ka theksuar Selmanaj.

Për më tepër, ai ka shtuar se përveç kthimit në pikën zero, nuk është vendosur një standard i respektimit të marrëveshjes dhe përmbajtjes së saj.

Selamanaj ka theksuar se klasa politike me vendimin e djeshëm ka bërë një degradim të procesit elektoral dhe demokracisë së vendit.

“Unë mendoj që klasa politike dje dha mesazh që ka dështuar edhe njëherë për të krijuar besimin e qytetarëve në klasën e vet politike dhe ka dështuar në gatishmërinë e tyre për të quar proceset përpara. Çdo qasje tjetër e cila na kthen mbrapa mendoj që është degradim edhe për vetë procesin elektoral edhe për demokracinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Selmanaj ka pohuar se kjo mënyrë e sjelljes u shërben vetëm liderëve që të zgjedhin deputetët të cilët janë më servil dhe jo të ketë zgjedhje të deputetëve në përfaqësimin gjeografik.

Madje, ai nuk habitet që në ditët e ardhshme të dalin me vendimin këta liderë edhe për lista të mbyllura, gjë që, sipas tij, do të ishte gabimi më i madh tjetër që mund të bënin partitë politike për demokracinë në Kosovë.

Edhe Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se reforma nuk duhet të bëhet kështu copa-copa, por në pako.

“Nuk mund të qaset vetëm për një pikëpamje të sistemit. Do të thotë sistemi zgjedhor duhet të miratohet në pako e jo të vendoset copa-copa ashtu siç ka filluar. Mënyra se si ka filluar mua më ngrit shqetësimin për shkak kjo do të qoj edhe në mbylljen e listave, sepse liderët dëshirojnë kontroll të deputetëve të tyre dhe në mënyrë për të rritur fuqinë si brenda subjektit ashtu edhe brenda kuvendit”, ka deklaruar Malazogu.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme liderët e gjitha partive në vend, përveç atyre të Lëvizjes Vetëvendosje në një takim të mbajtur dje janë dakorduar që Kosova të ketë vetëm një zonë zgjedhore.

Edhe pse me marrëveshjen e prillit të vitit 2011, liderët politik ishin pajtuar që Kosova të ketë më shumë zona zgjedhore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. (K.P/LajmeShqip.com)