Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 17:15

Rreshjet e shumta të ditëve të fundit kanë rritur me mbi tre metra nivelin e ujit në Liqenin e Fierzës. Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), niveli në liqenin e Fierzës ka arritur në 267.8 metra, ndërsa prurjet janë në nivele 200 metër kub në sekondë.

Niveli në liqenin e Komanit është 172.4 metra dhe prurjet anësore janë 211 metër kub në sekondë. Nivel në rritje shënon edhe liqeni i Vaut të Dejës, në 73,27 metra për shkak të rritjes volumit të prurjeve anësore në rreth 30 metra kub në sekondë.

Edhe pse prurjet e shumta po rrisin me shpejtësi nivelet e liqeneve të HEC-eve, gjenerimi mesatar i energjisë për këtë vit është në nivele shumë të ulëta, për shkak të thatësirës së tejzgjatur. Fierza në këtë periudhë të vitit duhet të ishte mesatarisht në nivelin e 282 metrave.

Për të siguruar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, qeveria ka lëshuar një akt normativ që lejon KESH-in të marrë një kredi me interesa të buta nga bankat tregtare prej 4.5 miliardë lekësh për blerjen e energjisë.