Lajme Shqip Friday, 07 August 2015 08:02

Pas më shumë se gjashtë muajve ndërprerje në gërmimet në Serbi saktësisht në Novi Pazar, të premten pritet që sërish të nisin punimet.

Komisioni Qeveritar për persona të pagjetur ka bërë të ditur se të premten dhe të shtunën do të gërmohet në një varrezë masive në vendin e quajtur Kozarevë në Novi Pazar ky dyshohet për një varrezë masive.

Kjo ka ardhur pasi që Komisioni ka marrë njoftimin dhe ftesën nga pala serbe për të përcjellë vazhdimin e gërmimeve vlerësuese në lokacionin e shënjuar në këtë pjesë në Serbi.

Pala kosovare vazhdimisht ishte ankuar për ndërprerjet që i bënte pala serbe kinse për mungesë fondesh për vazhdimin e gërmimeve.

Ndërkohë, ditëve të fundit janë zhvilluar gërmime edhe në disa lokacione në Kosovë ky dyshohej për varreza masive.

Në gërmimet që u zhvilluan të enjten e kaluar në Ranillug të Kamenicës nuk rezultoi të ketë gjetje ndërsa në jug të Mitrovicës saktësisht në një pus ku dyshohet për një varrezë masive të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë pritet që të rifillojnë sërish gërmimet, ka bërë të ditur për KosovaLive, kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj.

Ai ka thënë se punimet ishin ndërprerë për shkak të thellësisë së pusit dhe për arsye të mungesës së pajisjeve dhe mjeteve adekuate që duheshin për gërmim.

Rikujtojmë se numri i personave për të cilët nuk dihet për fatin e tyre që nga lufta e fundit në Kosovë është 1.600 prej të cilëve 400 janë të komuniteteve pakicë.