Lajme Shqip Tuesday, 20 December 2011 17:00

Tiranë – Këngëtarët pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në RTSH kanë filluar që prej ditës së djeshme provat në sallën e Pallatit të Kongreseve, ku do të zhvillohen katër netët e festivalit.

Një javë nga çelja e jubileut të këtij viti, tashmë këngëtarët me kompozitorët përkatës kanë filluar provat intensive në skenë, skenografinë e të cilës e ka realizuar Bashkim Zehaj. Skenografia e këtij viti do të përmbajë 50 vitet e këtij festivali e konceptuar me 50-të dritare.

Në këtë edicion të Këngës në RTSH-së, përveç mbrëmjes Gala kushtuar historisë së këtij festivali, ku do të interpretohen 26 këngët më të mira ndër vite, do të ketë edhe të ftuar.

Këngëtari afrikan Eddy Wata, i njohur në Shqipëri për këngët “I love my people” dhe “Senorita”, do të jetë i ftuar natën e parë të festivalit. Ndërsa këngëtarja nga Britania Katherine Ellis, do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve natën e dytë.

Festivali, do të çelet në 26 dhjetor, ndërkohë që çmimet do të shfaqen natën e fundit, 29 dhjetor. 28 këngë do të jenë në garë për çmimin e parë që do ta çojë fituesin në skenën europiane të “Eurovizionit”.