Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 19:20

Prishtinë – Policia e Kosovës ka nisur hetimet në lidhje me kërcënimet që i janë bërë deputetes së Vetëvendosjes, Alma Lama. Hetimet kanë të bëjnë në lidhje me reagimin apo letrën që ishte dërguar në emër të Forumit të të Rinjëve Muslimanë të Kosovës, të cilën e kishte publikuar edhe Lajmeshqip (http://www.lajmeshqip.com/kombetare/forumi-i-te-rinjve-muslimane-alma-lama-refugjate). 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Kosovapress se deputetja Lama e ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës.

 “Mund të konfirmoi se në Policinë e Kosovës deputetja e Republikës së Kosovës Alma Lama është ardhur për të raportuar rastin. Ne si Polici e Kosovës në konsultim me prokurorin përkatës, në bazë të informacioneve të pranuara e kemi hapur rastin e cilësuar si kanosje dhe tani jemi duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për hetimi e rastin në tërësi”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket hetimit të mundshëm edhe ndaj hoxhës Irfan Salihut, nga i cili edhe u nisë krejt ky debat, Kelani ka potencuar se në Policinë e Kosovës, nuk është hapur një rast hetimor i tillë.

“Unë për momentin nuk mund të komentoj asgjë përderisa nuk hapet ndonjë rast hetimor në Policinë e Kosovës, kështu që në bazë të elementeve dhe të gjeturave dhe në bazë të autorizimeve që ka Policia e Kosovës do të veprojë”, ka thënë ai.

Në letrën e FRM-së, veç tjerash thuhej se “Forumi i të Rinjve Myslimanë ka lexuar në internet fjalimin që fshatarja e Krujës nga Shqipëria, Alma Lama ka mbajtur në parlamentin e Kosovës në lidhje me videon e hoxhës së nderuar Irfan Salihu. Në fjalimin e saj, refugjatja Alma Lama ka sulmuar hoxhën patriot Irfan Salihu dhe hytben e tij, në të cilën hoxha ynë i nderuar, ne popullin e Kosovës na mëson që gratë ti kemi të ndershme, ti marrim të virgjëra, besimtare dhe jo kurva, siç u bënë shumë gra në Shqipëri në vitet 90 të cilat u trafikuan në Itali për prostituta”.

Nga ana tjetër këtë gjuhë dhe këto fyerje, dje i ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pjesë se së cilës është deputetja Alma Lama.