Tiranë-Ministri i brendshëm Bujar Nishani ka deklaruar se policia e ka ofruar prokurorisë fakte të mjaftueshme për të identifikuar vrasësit e gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
Nishani në këtë mënyrë e ka kaluar topin në fushën e prokurorisë përsa i përket vrajses më të rëndë të vitit të kaluar sic ishte ekzekutimi i gjyqtarit Konomi në qendër të Vlorës.
Më herët, ministri Bujar Nishani, gjatë analizës së punës së Ministrisë së Brendshme, është përpjekur që të mos përmendë fare çështje të tilla si 21 janari, që kulmoi vitin që lamë pas, apo edhe vrasjen e gjyqtarit Konomi.
Por, i pyetur në fund të analizës nga ana e gazetarëve për 21 janarin, ai ka thënë se strukturat shtetërore kanë përmbushur misionin e tyre. Sipas tij, i mbetet drejtësisë të thotë fjalën e saj për 21 janarin.
“Të gjitha strukturat e shtetit që u angazhuan në mbrojtjen e rendit publik, institucioneve dhe sigurisë kanë përmbushur misionin e tyre.
Kjo çështje është tashmë në hetim nga prokuroria dhe është drejtësia ajo që duhet të japë vendimin përfundimtar dhe të gjykojë të gjitha veprimet e aktorëve që u përfshinë në sulmin ndaj institucioneve në 21 janar”, tha Nishani.
Saturday, 07 January 2012 13:41