Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 12:28

Bujar Nishani i rikthyer në postin e ministrit të brendshëm pas largimit të Lulzim Bashës ka raportuar në komisionin e sigurisë duke folur për situatën e krimit në vend.

Vëmendja e deputetëve socialist është përqendruar tek hetimet për zbardhjen e vrasjes së kolegut të tyre Famir Xhindi 2 vjet më parë dhe ekzekutimi më i fundit i gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

Nishani u shpreh se zbardhja e vrasjes së Xhindit është në rrugë të mbarë ndërsa deklaroi se akti nuk ka qenë i motivuar politikisht.

Ndërsa përsa i përket ekzekutimit të gjyqtarit Konomi, numri 1 i rendit në Shqipëri bëri me dije pistat e hetimit kur prevalon më tepër ajo që ka të bëjë me konfliktet e pronësisë që gjyqtari Konomi ka patur.

Sipas Nishanit gjatë këtij 6 mujori janë shënuar 76 vrasje ndërsa ka shtuar se është rritur zbulueshmëria në masën 84% për këto krime.

Por sipas deputetëve socialist në komision, raporti i policisë nuk është i njëjtë me të dhënat e publikuara nga prokuroria ndërsa kanë shtuar se policia e shtetit është duke fshehur vrasjet.