Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, kanë nisur takimet në Bruksel, një rreth të ri të bisedimeve, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Palët pritet të diskutojnë për arritjen eventuale të marrëveshjeve për energjinë, telekomin, lirinë e lëvizjes dhe formimin e Asociacionit të komunave serbe.
Ky i fundit thuhet se është pika më e nxehtë në bisedime, pasi Prishtina nuk pranon që ky asociacion të ketë përgjegjësi ekzekutive, ashtu siç insiston Beogradi.
Zyrtarët kosovarë kanë thënë se do të insistojnë që të ketë marrëveshje në pako për të katër temat e negociuara.
Rrethi i sotëm i bisedimeve është thirrur në prag të samitit të Vjenës, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me liderët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në mesin e tyre kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Takimi i sotëm, ashtu si edhe herave të tjera, ka nisur me bisedime dypalëshe të kryeministrave me zyrtaren e lartë evropiane, Federica Mogherini.
Zyrtarët evropianë kanë thënë se presin që kësaj radhe përfundimisht të ketë marrëveshje.
Përparimi në dialog, përkatësisht në normalizimin e marrëdhënieve, është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë drejt integrimit në BE.
Tuesday, 25 August 2015 10:17