Prishtinë -(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje përfundoi protestën, të mbajtur në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në fjalimin e tij, kryetari i kësaj lëvizje Albin Kurti tha se në bisedimet mes Thaçit e Daçiqit është falur Presheva, duke shtuar se kjo protestë është kundër koalicionit Thaçi-Daçiq.Në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë janë dëgjuar akuza të rënda më adresë të institucioneve të Kosovës, se nuk kanë dhënë mbështetjen e nevojshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Lideri Albin Kurti ka deklaruar se qeveritarët e Kosovës kanë hyrë me pazare politike me Serbinë, ndërsa nuk mund ta mbrojnë as veriun e Kosovës e as te drejtat e shqiptarëve të Luginës.
“Thaçi pandershëm i qortoi shqiptarët se nuk e mbrojtën Lapidarin e UÇPMB-së, edhe pse çështjen e Preshevës nuk e bëri kusht për Serbinë. Jemi kundër ‘koalicionit Thaçi e Daçiq’ edhe kundër Qeverisë PDK-AAK”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar se marrëveshja për çmilitarizimin e UÇPMB-së nuk realizoi të drejtat që u premtuan, pasi që policia multietnike është më shumë në shërbim të pushtetit qendror serb, sesa në shërbim te banorëve.(K.N/LajmeShqip.com)
**********************************************************
Prishtinë – Nën thirrjet: “Qeveri shko në veri, mati forcat me Serbi”, “Lugina është e jona”, “Thaçin e japim, Kosovën se japim”, ka filluar protesta e Lëvizjes Vetëvendosje para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Protestuesit po mblidhen nga të gjitha hyrjet e kryeqytetit, ndërkohë atyre u është bashkangjitur edhe lideri i VV-së, Albin Kurti. Me flamuj kombëtar në duar, protestuesit do të marshojn drejt sheshin “Nëna Terezë”.
Kërkesa e VV-së në këtë protestë të përkrahur nga shumë shoqata dhe asociacione të ndryshme politike janë: respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm; ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovës me Serbinë; kthimi i rezolutës së Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë që menjëherë do të sillte tek ndalimi i mallrave serbe në Kosovë dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.
Protestës ju kanë bashkuar edhe këto organizata; Sindikata e Pavarur e Bujqve, Sindikata e Pavarur e Pensionisteve, Shoqata e Muhaxherëve të Preshevës, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – Preshevë, Shoqata “Vatra”, Lëvizja Demokratike për Integrim, Shoqata “26 Marsi 1999″, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB – së, Thirrjet e Nënave – Gjakovë, Grupi i tifozve “Plisat”, Shoqata ” Shiponjat”, dhe Qendra “Liria”, Gjilan.(LajmeShqip.com)
Saturday, 26 January 2013 14:28