Në konferencën shkencore “Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë”, u tha se Kosova nuk identifikon një shtet me krimin por identifikon kriminelët që kanë kryer ato krime.
Zëvendës/kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se, puna e këtij Instituti është që të hulumtojë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, pasi qytetarëve të vendit tonë akoma u mungon e vërteta lidhur me atë dhe si i humbën familjarët e tyre. Por ai tha se themelimi i këtij Instituti nuk duhet të kuptohet si tendencë e urrejtjes mes popujve.
“Themelimi i këtij instituti dhe puna e kësaj konference, në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si tendencë për nxitjen e urrejtjes ndëretnike, apo ndërshtetërore, sepse ne nuk e identifikojmë një shtet me krime, por identifikojmë kriminelët me punët që kanë bërë ata”, ka thënë Kuçi.
Kryeprokurori i shtetit Ismet Kabashi, tha se tema e krimeve të luftës mbetet aktuale edhe 12 vjet pas përfundimit të saj. Udhëheqësi i këtij instituti në Kosovë, Zejnullah Gruda ka thënë se krimet që janë bërë në ish-republikat e Jugosllavisë kanë shokuar botën e qytetëruar për vite të tëra.
“Skenat nga Vukovari, Sarajeva, Srebrenica, Skënderaj, Reçaku etj., me vite e kanë shokuar botën e qytetëruar, në esencë kishin dal forcat që maniftestonin haptazi tendencat për të rikthyer gjëndjen e para vitit 1974 dhe restaurimin e pushtetit të forcave dogmatike, centraliste dhe hegjemoniste, jo vetëm në Serbi, por edhe jashtë Serbisë,” ka vazhduar Kabashi.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe ka për qëllim që të hulumtojë krimet e luftës gjatë viteve 1998-99.
Friday, 16 December 2011 16:15