Tiranë -Deputeti Saimir Tahiri po përballet në një gjyq me fëmijët e kryeministrit Berisha, të cilët e kanë paditur për shpifje.
Gjyqi nisi dje dhe në siç e parashikon ligji, gjykata ka bërë kërkesë për pajtim të palëve, gjë që deputeti i PS-së e ka refuzuar. Ai ka pranuar jashtë dyerve të gjykatës se vazhdon të besojë, dhe këtë do tua thotë dhe gjykatësve, se familja Berisha është e zhytur në korrupsion.
Ai tha se në seancën gjyqësore të radhës “do parashtroj argumentet e mia pse ende sot vazhdoj mendoj që fëmijët e kryeministrit dhe kryeministri vetë janë të përfshirë në korrupsion”.
Ndërsa duke sqaruar pse ka refuzuar që ta mbyllë gjyqin që në nisje me pajtim, deputeti i Tiranës shtoi se “vazhdoj të besoj që kryeministri dhe familja e tij janë të përfshirë në korrupsion. Besoj e keni parë të gjithë që llumi korruptiv i qeverisë ka dalë në sipërfaqe dhe nuk ka më njeri që e dyshon këtë, përkundër faktit që gjykata, padashur të paragjykoj askënd, ka qenë fatkeqësisht pjesë e sistemit që ka skalitur sistemin e pandëshkueshmërisë”.
Duke pasur eksperiencën e mëparshme të gjobitjes nga gjykata për shkak të padive të deputetes së PD-së, Albana Vokshi, Tahiri tha se tashmë është një segment i pushtetit dhe gjyqësorit që po punojnë kundër opozitës.
“Mos harrojmë këtu që u bënë thuajse katër vjet nga tragjedia e Gërdecit dhe nuk ka ende asnjë të dënuar. Nesër mbushet 1 vit nga 21 janari i vitit të kaluar ku gjenden vdekjen 4 qytetarë të pafajshëm dhe nuk ka ende asnjë njeri të dënuar nga vrasësit. Ndërkohë që ndaj deputetëve të opozitës ka segmente të pushtetit dhe të gjyqësorit që synojnë dënimin politik edhe duke instrumentalizuar gjyqësorin. Kjo për mua nuk përbën asnjë problem, jam i gatshëm të përballem, jo vetëm me fëmijët e kryeministrit, por edhe me kryeministrin vetë dhe të argumentoj sipas mënyrës sime dhe sipas opinionit tim pse janë të korruptuar deri në fyt”-ka thë në Tahiri.
Saturday, 21 January 2012 11:00