Lajme Shqip Saturday, 01 October 2011 09:55

Tiranë – 12 mijë anketuesit e INSTAT-it, do të nisin sot trokitjen në dyert e qytetarëve shqiptarë për të kryer censusin, proces që ka të bëjë me numërimin e popullsisë dhe banesave.

“Hapjuni dyert anketuesve të INSTAT-it. Ata kanë një mision shumë të rëndësishëm, të mbledhin të dhënat që do na shërbejnë të gjithëve. Censusi do të na japë një pamje të qartë të zhvillimit ekonomik-social-kulturor të gjithë grupeve në Shqipëri, të rinjve, fëmijëve, femra, meshkuj e do na tregojë aspektin dinamik të zhvillimit të popullsisë në Shqipëri”, është thirrja që drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, i drejtoi qytetarëve shqiptarë një ditë më parë.

Drejtori i marrëdhënieve me jashtë në EUROSTAT, Peter Everaers deklaron se pyetësori shqiptar aq shumë i debatuar është bërë mbi bazë të rekomandimeve të Komisionit Europian.

“Këto janë rekomandimet e Komisionit Europian që vendet kandidate dhe aspirante duhet të ndjekin në detaje. Pas kësaj mund të bëhen krahasime. Censusi është i rëndësishëm për të ditur shëndetin, të ardhurat, edukimin dhe projektime të ardhshme për popullin tuaj”- tha përfaqësuesi i EUROSTAT, Peter Evaraers.

Censusi i cili llogaritet i 11-ti pas shpalljes së pavarësisë, do të kushtojë 14 milionë euro. Ndërsa 1 milion lekë të vjetra është gjoba për të gjithë ata që mashtrojnë me të dhënat personale apo refuzojnë plotësimin e formularit. Një familjar mund të përgjigjet dhe për të tjetër nëse ata nuk ndodhen në shtëpi. 2 pyetjet e fundit, ato për fenë dhe etninë, janë fakultative dhe në rast se 5 % e shqiptarëve refuzojnë t’i përgjigjen, nuk mund të të merren në konsideratë dhe si rrjedhojë nuk përfshihen në rezultatin final.

“Gjatë periudhës përgatitore të censusit, nga janari i një viti më parë deri në javët e fundit kemi patur një debat, kemi patur ndoshta dhe disa thirrje të tepruara nga një lagje apo nga një tjetër. Sot është moment t’i lëmë pas këto qasje dhe të bashkëpunojmë të tërë në këtë proces madhor të Republikës së Shqipërisë. Jo sepse ka masa administrative apo gjoba, por sepse është një detyrim, në rradhë të parë individual dhe është një thirrje për të bashkëpunuar sepse është një kontribut që gjithsecili jep për veten, familjen dhe vendin e vet”- tha ministri i Inovacionit, Genc Pollo.

Deri në 21 tetor, të gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri duhet të plotësojnë 40 pyetjet e pyetësorit i cili rezultatin final do ta japë në 2012-ën.