Moskë -Presidenti i zgjedhur i Serbisë, Tomisllav Nikoliç i tha televizionit Russia Today se ai është nacionalist, por edhe demokrat, që i respekton vlerat evropiane.
Ai ka thënë se do të kalojë kohë e gjatë, derisa të pranohet nga mediat perëndimore, pasi sipas, tij, për një kohë të gjatë, për të ka pasur shkrime negative.
Duke folur për rrugën e Serbisë drejt BE-së, ai ka thënë se procesi do të ndalet “në qoftë se na kërkohet që të heqim dorë nga një pjesë e territorit- nga Kosova”.
I pyetur nëse është i gatshëm për dialog me Prishtinën dhe kryeministrin e Kosovës, Nikoliç tha se do të diskutojë me përfaqësuesit e Prishtinës, por jo me Hashim Thaçin sepse, ai, ka thënë Nikoliç, “është i dyshuar për krime kundër popullit serb”, transmeton Rel.
Tomisllav Nikoliç është zgjedhur president i Serbisë në balotazhin e 20 majit. Një kohë ka qenë në Partinë Radikale të Vojisllav Sheshelit, i cili gjendet në Hagë, ku akuzohet për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve të ’90-ta në ish Jugosllavi.
Nikoliç njihet për retorikë nacionaliste kundër shtetit të ri kosovar dhe një gjë të tillë e ka dëshmuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, në veri të Mitrovicës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 08:00