Bauçi – Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën në shpërthimin e një bombe në afërsi të barakave ushtarake në Nigerinë Veriore, disa orë pasi që presidenti Gudlak Xhonatan dha betimin për mandat të ri, kumtuan autoritetet.
Një anëtar i ekipit të shpëtimit deklaroi se kolegët e tij kanë zbuluar 12 trupa, ndërsa 25 janë plagosur në shpërthimin në qytetin verior Bauçi. Sipas zëdhënësit të agjencisë për reagim gjatë situatave të jashtëzakonshme, shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm.
Tani për tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe nuk janë kryer arrestime.
Shpërthimi i dytë më i dobët tronditi një birrari në Zuba, në paralagjen e kryeqendrës Abuxha. Akoma nuk është e qartë çka e ka shkaktuar shpërthimin, me ç’rast lehtë janë lënduar tre persona.
Bauçi ndodhet në fqinjësi të shtetit Plato në “rripin e mesëm”, që i ndan kryesisht Veriun mysliman nga shumica krishtere në Jug.
Monday, 30 May 2011 09:31