Tiranë – Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve nga 11 marsi do të jetë në varësi të Bashkisë Tiranë, duke zbatuar vendimin e qeverisë së vitit 2007.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ky vendim u miratua me votat pro të këshilltarëve të djathtë dhe kundër të këshilltarëve të majtë.
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila është refuzuar për disa vite më radhë nga ish-kryebashkiaku Edi Rama do të kalojë plotësisht në varësi të Bashkisë Tiranë.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e djeshme, Basha tha se ky vendim përmirëson shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. Këshilltarët kanë rënë dakord që pjesë e bordit të menaxhimit të kësaj ndërmarrje për transparencë të përfshihet edhe një nga akademikët apo specialistët me konsensus të gjithë këshilltarëve.
Lidhur me pretendimet e ngritura nga këshilltarët e majtë për abuzimin me faturat e ujit, Basha theksoi se faturat dhe lista e kategorive përfituese përpilohen nga minibashkitë, Bashkia ka marrë përgjegjësitë e saj për zgjidhjen e këtij problemi të konstatuar me të drejtë. Kryebashkiaku Basha theksoi se brenda datës 5 mars të gjitha familjet që kanë paguar më tepër në faturimin e këtij muaji do kompensohen pa përjashtim në muajin pasardhës.
Duke marrë vetëm votat e maxhorancës, këshilli miratoi vendimin për shtimin e 357 milionë lekëve të reja si fond i mbartura nga 2011, në buxhetin e Tiranës për këtë vit.
Këto fonde, sipas vendimit, janë planifikuar për t’u investuar në procesin e shpronësimit të ish-pronarëve për zgjatimin e bulevardit “Bajram Curri” në pjesën e zonës së “Ali Demit”; mirëmbajtjes së varrezave të “Sharrës” dhe “Tufinës”; për gjelbërimin, për çerdhet dhe kopshtet; minibashkitë; për ngritjen e një qendre sociale në Laprakë, e cila do të quhet “Shtëpia jonë e përbashkët”.
Kryebashkiaku Basha tha se me këtë shtesë të papërdorur do të zgjidhen problemet më të mprehta siç është ngërçi me shpronësimet në zonën pranë Bërrylit, e cila i ka mbartur një borxh të lartë bashkisë, si dhe zgjidhja e problemit të varrezave.
Këshilltarët e majtë, duke iu referuar kësaj shtese të fondeve, akuzuan administratën Basha se arka e bashkisë nuk është gjetur bosh gjatë ndërrimit të mandateve, ndryshe nga sa u pretendua.
Vendimi për zgjerimin e kapitalit prej 80 milionë lekësh, që do të shkojë në dispozicion të sportklub “Tirana”, mori edhe votat e majtëve. Ata votua pro edhe për krijimin e një qendre sociale dhe vendosjes së pllakës përkujtimore, në nder të Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.
Friday, 02 March 2012 11:05