Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 19:00

Vlorë – Atmosfera e festave të fundvitit është e pranishme me të gjitha dimensionet e saj në qytetin e Vlorës. Ngacmimin e parë e jep dekori festiv i qytetit, i cili ndonëse disi “më i varfër” krahasuar me atë të një viti më parë, gjithsesi krijon një ndjesi të këndshme e të gëzueshme për të gjithë qytetarët.

-Trafiku i rënduar, “dhurata” e parë për festat e fundvitit-

Trafiku i rënduar në rrugët e qytetit, është një nga ngacmimet e këtyre ditëve. Në fakt, shtimi i numrit të automjeteve në qarkullim, është rrjedhojë e ardhjes së emigrantëve që kthehen për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje. Vetëm në dy javët e fundit, përmes portit të Vlorës, kanë mbërritur mbi 13000 emigrantë, ndërkohë që mendohet që numri i përgjithshëm i atyre që kanë ardhur nga Italia te jetë të paktën 18 mijë, një shifër rreth 10 për qind më e lartë krahasuar me atë të një viti më parë. Në këtë numër, nuk përfshihen emigrantët që jetojnë e punojnë prej vitesh në Greqi, të cilët kanë udhëtuar me automjetet e tyre personale, por edhe me linjat e autobuzave Vlorë-Athinë, ku, aktualisht funksionojnë katër shoqëri transporti. Vetëm të mërkurën, me 5 autobusë të firmës “Hermes” mbërritën mbi 300 emigrantë. Arbeni Rrokaj, administrator i kësaj shoqërie transporti, thotë se gjatë këtij viti ka një fluks shumë të lartë emigrantësh që kthehen për festat e fundvitit në vendlindje.

Viktor Tahiraj, këngëtari vlonjat, pjesëmarrës në disa festivale kombëtare, emigrant prej 13 vjetësh në Itali, është kthyer para pak ditësh. Ai u shpall mes 10 protagonistëve të vitit 2011. Para pak kohësh ai kompozoi një këngë himn për qytetin e lindjes, të cilën e interpretoi së bashku me vajzën e vet të vogël në sallën e teatrit “Petro Marko”, ku u zhvillua mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve. “Kam ardhur për të kaluar festat këtu në vendlindjen time. Më pëlqen të jem këtu në Vlorë sepse ndihem mirë”, thotë Tahiri.

-Dhuratat, e veçanta e festave-

Dhuratat me rastin e festave të fundvitit përbëjnë një dukuri të zakonshme. Por, ndoshta në dallim nga vitet e tjera, ka ndryshuar diçka në këtë drejtim. Nuk janë vetëm fëmijët ata që marrin si dhurata lodra, veshje, libra e sende të tjera, por edhe të rriturit. Zana, shitëse në një njësi të tregtimit të bizhuve, thotë se ka një shtim të numrit të atyre që preferojnë të dhurojnë një orë, një byzylyk, apo një varëse prej floriri. “Vajza të reja blejnë dhurata për të dashurit e tyre, ndërkohë që ndodh edhe e kundërta”, thotë ajo. Zana shton se edhe mjaft bashkëshortë, apo bashkëshorte, kanë preferuar t’u dhurojnë partnerëve dhurata të tilla, duke mos pyetur shumë për çmimin. Krahas kësaj, mes dhuratave që preferohen në këto ditë, janë edhe parfumet e llojeve të ndryshme.

-Tregjet, të mbushura me klientë-

Tregjet e fruta perimeve apo supermarketet, që funksionojnë në Vlorë, janë të mbushura këto ditë plot me klientë. Ka një shtim të dukshëm të fuqisë blerëse, pavarësisht çmimeve. Në supermarketin “Conad”, përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, mjediset janë plot në çdo orë të ditës dhe të mbrëmjes. Ai hapet në orën 08.00 dhe mbyllet në 22.00. Por, mesa duket kjo nuk mjafton sepse edhe në orën “limit”, kur punonjësit përgatiten të mbyllin aktivitetin e ditës, klientët janë të shumtë. Produktet ushqimore italiane, apo prodhime të tjera të veçanta, kanë tërhequr klientët. Një nga specialitetet, gjeli i Vitit të Ri, i përgatitur me mjaft finesë dhe estetikë, i mbushur dhe i përgatitur me erëza të ndryshme, është tërhequr mjaft, pavarësisht se çmimi i tij, është “i kripur”, në 9400 lekë. E njëjta situatë është e pranishme edhe në supermarket “Atlantik”, “Vlora”, “Aulona” etj.

Ndërkohë, në tregjet e fruta perimeve në qendër të qytetit dhe në afërsi të lagjes “24 maji”, nuk mund të lëvizësh lirisht për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të qytetarëve. Por, Vlora ka edhe një të shqetësim në këtë drejtim. Tregu i gjelave të detit dhe qengjave, që tërhiqen shumë këto ditë, ndodhet shumë pranë qendrës. Përveç ndotjes që krijohet, mungesës së kushteve higjienike të tregtimit, prania e këtij tregu rëndon dhe çorienton edhe trafikun e automjeteve. Megjithëse ky shqetësim përsëritet çdo vit, bashkia është shfaqur e pafuqishme për ta zhvendosur atë në një vend të përshtatshëm.

-Çmimet, më pak të kripura se një vit më parë-

Çmimet e fruta perimeve janë shtrenjtuar gjatë këtyre ditëve, me të paktën 10-20 për qind të treguesve në periudha normale. Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është disi më e butë. Por, pavarësisht kësaj qytetarët janë të pakënaqur.  “More, çfarë bëhet kështu. Nuk e kuptoj, ku venë me këto çmime. Po nxjerrin dhjamë nga pleshti këta tregtarët”, thotë një i moshuar që pasi mëson çmimin, tërhiqet menjëherë nga mendimi i tij për të blerë dardhë në një nga njësitë e tregtimit në afërsi të bllokut “të Orizit”.

Megjithatë, në ditën e parafundit të këtij viti domatja arriti në një çmim prej 1000 lekë të vjetra kg, ndërkohë që një vit më parë arriti në 2500 lekë.

Edhe çmimi i mishit të qengjit sivjet është 9000 lekë të vjetra kg, ndërkohë që në 2010-ën, arriti në më shumë se 10 mijë lekë. Sa për gjelin e detit, nuk mund të flitet. Një gjel i zakonshëm i gjallë, shitet mesatarisht me 75 mijë lekë(të vjetra). “Çmimet i kanë rritur fermerët, apo blegtorët. Po ashtu, një pjesë e qengjave shkojnë në Greqi, gjë që e ka ndryshuar ofertën”, thotë Gëzimi, një kasap i njohur që e ka njësinë e vet, në afërsi të godinës së Zyrës së Punësimit. Por, pavarësisht kësaj, fuqia blerëse është e lartë.

-Lokalet, të preferuara në natën e ndërrimit të viteve-

Një pjesë e madhe e qytetarëve do ta kalojnë natën e Vitit të Ri në lokale. Kompleksi i Plazhit të Ri, fshati turistik në Llogora, janë dy prej mjediseve që janë përzgjedhur prej vlonjatëve për të kaluar këtë natë. Menyja e pasur, por veçanërisht muzika dhe surpriza të tjera të planifikuara në to, i kanë shtyrë qytetarët të prenotojnë për ta kaluar natën e ndërrimit të viteve.

Por, krahas kësaj, qindra qytetarë vlonjatë, veçanërisht të rinj e të reja, pas orës 00.00 do të drejtohen në baret e shumta në qytet, ku do të organizohen mbrëmje festive, me muzikë të zgjedhur. Ergysi, administrator i një lokali në Ujin e Ftohtë, thotë se prenotimet kanë përfunduar qysh në datën 29 dhjetor. Janë disa dhjetra lokale në Vlorë si “Classic”, “Flamingo” etj, që e kanë shndërruar në një traditë këtë mënyrë të kalimit të natës së ndërrimit të viteve.