Tiranë – Në fund të muajit shtator të këtij viti një komision i posaçëm, që do të ngrihet nga shoqatat e kineastëve dhe që do të miratohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të përzgjedhë filmin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Çmimet Oskar, në kategorinë e “Filmit më të Mirë në Gjuhë të Huaj”.
Filmat që do të kandidojnë për të marrë pjesë në këtë event duhet të plotësojnë disa kritere.
Filmi duhet të jetë shfaqur jo më parë se 1 tetori 2010 dhe jo më pas se 30 shtatori 2011, për jo më pak se një javë rresht. Aplikuesi nga shteti që kërkon të kandidojë, duhet të përfaqësohet në shumicë rolet kryesore të filmit, të përfaqësohet në të paktën 2 nga kategoritë, producent, regjisor, skenarist si dhe duhet të përfaqësohet në shumicë në: kamera, montazh, drejtim artistik, kostumografi, kompozitor, miksim zëri.
Filmat shqiptar të prodhuar brënda afatit të lejuar për konkurim janë “Maja” i Pluton Vasit dhe “Ballkan Bazaar” i Edmond Budinës, që janë shfaqur në kinematë shqiptarë, ndërkohë që dy filma të tjerë pritet të dalin në verë, “Out of touch” i Andi Delianës dhe “Pharmakon” i Joni Shanajt. Filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit pritet të shfaqet në Shqipëri pas premierës botërore të tij në Berlin.
Premirë janë shfaqur edhe filmat “Shqiptari” i Johannes Naber dhe “Falja e Gjakut” i Joshua Marston, për të cilët Kryetari i QKK-së, Artan Minarolli, është shprehur se përfaqësimi i Shqipërisë nga një regjisor i huaj është jashtë çdo hamendësimi, por është komisioni për filmin shqiptar në Oscar ai që do të vendosë.
Ndërkohë që skenaristi i filmit “Falja e Gjakut”, fitues i “Ariut të Argjëndë” për skenarin më të mirë, Andamion Murataj, është shprehur se do ta bëjë zyrtare kërkesën pranë QKK-së.
“Filmi ynë mund të konkurrojë në shumë kategori, që nga aktorët, skenari, regjia si edhe filmi më i mirë, por kategoria ku ka më shumë shanse të vazhdojë konkurrimin, është “Best Foreign Language Film”. Siç e thotë dhe titulli, bëhet fjalë për një film në gjuhë të huaj dhe filmi ynë, pa dyshim është në gjuhë të huaj dhe 100% shqip. Pra, pak rëndësi ka regjisori, e rëndësishme është gjuha”, ka thënë Murataj.
Që nga viti 1996 filmi shqiptar ka aplikuar disa herë në Akademinë e Filmit Oskar, pro asnjëri prej tyre nuk është përzgjedhurpër t’u nominuar për një Oscar. Në vitin 1996 aplikoi “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut, në 2002 “Slogans” i Gjergj Xhuvanit, në 2008 “Trishtimi i zonjës Shnajder” i Eno Milkanit & Piro Milkanit, 2009 “Gjallë!” i Artan Minarollit dhe 2010 “Lindje-Perëndim-Lindje” nga Gjergj Xhuvani.
Tuesday, 26 April 2011 06:14