Prishtinë – Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për herë të parë në Kosovë me sukses të plotë është kryer implantimi i pejsmejkërëve tek dy fëmijë. Implantimi u krye falë donacionit të Organizatës Amerikane për Shpirt dhe Zemër që udhëhiqet nga Kirk Miloan, ndërsa implantimi u krye nga Dr. David Buch dhe Dr. Ramush Bejiqi.
Dr. Nijazi Gashi, Drejtor Ekzekutiv në QKUK, tha se falë bashkëpunimit me mjekët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndihmës së dhënë prej tyre, është arritur me sukses të plotë që të kryhet implantimi i 2 pejsmejkerëve tek fëmijët.
Mjekët Amerikanë nga Universiteti i San Antonios, në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas kryerjes së implantimit të pejsmejkerëve thanë se janë të lumtur që kanë pasur mundësi të ndihmojnë fëmijët kosovarë. Dr. Kirk Miloan, Drejtor i Organizatës Amerikane për Shpirt dhe Zemër deklaroi se pas bashkëpunimit më shumë se 10 vjeçar me mjekët e QKUK-së, janë pajtuar që të ndihmojnë 2 fëmijë kosovarë që kanë pasur nevojë për implantimin e pejsmejkerëve.
Në anën tjetër, Dr. David Buch, i cili mori pjesë në intervenim sqaroi se implantimi është kryer me sukses dhe pas kësaj ndihet mirë që ka pasur rastin t’i ndihmojë fëmijët e Kosovës. Ai premtoi se ndihmesa dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Dr. Ramush Bejiqi, pediatër- kardiolog në Klinikën e Pediatrisë sqaroi se pejsmejkeri është një lloj baterie e cila është e programuar të ndihmojë, apo stimulojë zemrën në raste kur ka probleme. “Tek fëmija i parë, pejsmejekeri, apo bateria, është instaluar që të punoj 78 muajt e ardhshëm dhe fëmija nuk do të ketë probleme për këtë periudhë kohore”, sqaroi ai. Sipas tij, në gjithë këtë proçes ka pasur përkrahje politike nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe nga Drejtoria e QKUK-së. Sipas tij, në muajin Qershor parashihet që në Kosovë të kryhen ndërhyrjet e para në zemër të hapur tek fëmijët në Kosovë.
Fëmija i parë që përfitoi nga implantimi i pejsmejkerëve është G. Mehmeti (2001), ndërsa fëmija tjetër është i moshës 17 vjeçare. Shuma financiare e një pejsmejkeri të implantuar është rreth 16 mijë dollarë.
Ekipi i mjekëve nga Amerika më parë kishte ndihmuar në operimin e 168 fëmijëve nga Kosova, të cilët kishin pasur probleme me zemër. Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimin ta vazhdojnë edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 17:40