Lajme Shqip Saturday, 14 January 2012 10:30

Kukës – Pas reshjeve të shiut, në zonën verilindore kanë rinisur reshje të dendura  bore, që ndonëse me intensitet të ulët, mund të përkeqësojnë lëvizjen normale të mjeteve në akset  rrugore.

“Reshjet e dëborës, që kanë nisur më herët në zonat rurale, kanë ribllokuar sërish zonat e thella, si komunat   e  Arrnit, Zapodit dhe pjesërisht të Shishtavecit, të Grykë Cajës e të Kalisit”, tha përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.

Situatë e rënduar është në komunën e Shishtavecit, ku trashësia e dëborës arrin në mbi një metër, ndërsa erërat e fuqishme dhe ngricat kanë vështirësuar ndjeshëm rihapjen e aksit rrugor që lidh fshatin me pjesën tjetër të rrethit.

Reshjet e dëborës  po vështirësojnë lëvizjen edhe në akset kryesore rrugore, ku  krahas rënies së dëborës situata është vështirësuar nga shtresat e akullit që janë të pranishme thuajse në të gjitha këto akse.

Për mbajtjen nën kontroll të situatës në akset kryesore rrugore si në aksin Morin-Kukës-Tunel, Kukës-Qafë  Shllak, Kukës-Daj Reç, Kukës- Krumë -Bajram Curri po hidhet  kripë e skorje, ndërsa drejtuesve të mjeteve u këshillohet lëvizja me zinxhirë.

Pavarësisht rifillimit të reshjeve të dëborës në pjesën më të madhe të qarkut të Kukësit furnizimi me energji elektrike është normal. Mangësi në këtë drejtim vërehen në 4 komunat që furnizohen me energji elektrike nga rrethi i Dibrës, një problem  që çdo dimër nuk gjen zgjidhje.