Kukës – Reshjet e dëborës që kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme kanë sjellë izolimin e mjaft fshatrave të zonës rurale në rrethin e Kukësit.
Përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema, tha se, “janë izoluar fshatra të veçantë të komunave të Zapodit, Shishtavecit, Grykë Cajës, Kalisit, Arrnit e ndonjë tjetër, ku trashësia e dëborës ka arritur në rreth 40 centimetra”.
“Kemi fshatra të izoluar, por një gjë e tillë nuk ka shkaktuar ndonjë problem, pasi nga banorët e këtyre zonave me kohë janë marrë masat për përballimin e dimrit”, u shpreh kryetari i komunës së Shishtavecit, Dylejman Nela.
Pavarësisht reshjeve të dëborës, lëvizja e automjeteve me zinxhirë nuk është ndërprerë në akset kryesore rrugore Kukës -Daj Reç, Kukës-Krumë dhe Kukës – Qafë Shllak. Në këto akse trashësia e dëborës arrin në 30 centimetra, ndërsa ka patur edhe rrëshqitje dherash e gurësh, por që janë pastruar nga punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve.
Ndërkohë, një numër mjetesh janë angazhuar për hedhjen e kripës e skorjes në akset kryesore rrugore, ku shtresat e akullit janë bërë të gjithëpushtetshme. Kjo është e domosdoshme për të mundësuar lëvizjen e mjeteve. Për mbajtjen nën kontroll të situatës nga ana e policisë rrugore janë shtuar postblloqet në akset rrugore, duke mos lejuar lëvizjen e mjeteve, që nuk janë të pajisur me zinxhirë, ndonëse deri tani nuk është shënuar asnjë rast aksidenti automobilistik.
Situata ka nisur të normalizohet disi pasi janë ndalur reshjet që nga orët e mbrëmjes së kaluar, gjë që ka sjellë shkrirjen e dëborës së rënë në qytetin e Kukësit dhe zonat përreth tij.
Saturday, 07 January 2012 10:30