Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 09:10

Kërçovë – Në Kërçovë u mbajt dje manifestimi i 16-të me radhë ‘Flaka e Janarit’, që përkujton rënien e dëshmorëve të kombit në janarët e përgjakshëm,  Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.

Edicioni i 16-të me radhë i manifestimit Flaka e Janarit filloi me ceremoninë që u zhvillua në fshatin Kollarë ku lideri i BDI-së Ali Ahmeti me bashkëveprimtarët e tij zbuloi pllakën përkujtimore të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, ndërsa më pas u vendosën lule të freskëta tek varri i simbolit të rezistencës së kësaj ane, dëshmorit të kombit Beqir Limani, si dhe tek varret e veprimtarëve  Abedin Hyseni, Gafurr Zeneli dhe Shaqir Sadiku.

Manifestimi tradicional Flaka e Janarit vazhdoi në Pallatin e kulturës në Kërçovë të cilin e shpalli të hapur Hasan Bekteshi, i cili theksoi se ky manifestim dallon nga të tjerët sepse ai përkon me 100 vjetorin e shtetit shqiptar dhe 30 vjetorin e LPK-së e cila ka pasur një rol të veçant në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në emër të kërçovarëve, të pranishmit i përshëndeti kryetari i komunës së Osllomesë Fatmir Dehari, i cili theksoi se flaka e përvitshme që ndizet 16 vite me radhë në kalanë e Uskanës së lashtë përkujton lajmëtarët e lirisë Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, ato që dhanë mesazhin e sakrificës për idealet kombëtare.

Pjesëmarrësit e këtij manifestimi që kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare, i përshëndeti edhe Fatmir Limani i cili potencoi se 17 janari vjen si ditë lutjeje dhe reflektimi në përkujtimin e dëshmorëve të atdheut, një ditë e cila në memorien e popullit tonë ka hyrë si ditë e krenarisë sonë kombëtare.

“Në 100 vjetorin e pavarësisë, ky përvjetor i Flakës së Janarit vjen me një mesazh të fuqishëm për të bashkuar brezat në misionin tonë kombëtar, duke përshpejtuar përpjekjet në dobi të atdheut”, tha mes tjerash Fatmir Limani.

Ndërkaq për veprimtarinë e bujshme të Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe martirëve të tjerë të kombit, foli kryetari i SHVL të UÇK-së Fazli Veliu.

“Tre emblematikët e UÇK-së, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu do të jenë edhe këtu në një pllakë përkujtimore përsëri bashkë ashtu siç ishin në Shtutgart ku dora  gjakatare e UDB-së eliminoi fizikisht misionarët e copëtimit të Jugosllavisë. Dhimbja për humbjen e tyre ishte e madhe por i madh ishte edhe mesazhi ngadhnjyes ndaj armikut shekullor. Ne patëm fatin që të ndjekim rugën e tyre të ndritur me porosinë e fuqishme të bashkimit se atdheu duhet mbrojtur nga rreziku i jugut dhe i veriut”, tha Veliu.

Ata e dini se çlirimtarët do të vijnë dhe se një ditë do të shkëlqejë liria e Kosovës dhe do të jehojë bindshëm kënga e lirisë së popullit shqiptarë. Porosia e djemve të  shqipes ishte sublime, “të jetojë dhe përparojë populli shqiptar”,  tha ems tjerash kryetari i SHVL Fazli Veliu.

Në vazhdim historiani Qerim Lita prezentoi një vështrim historik mbi organizatat e lëvizjes kombëtare që nga periudha e mëhershme e deri në ditët e sotme, ndërsa më pas manifestimin e përshëndeti edhe mërgimtari Havzi Sulejmani, si dhe  veprimtarët Rafi Halili dhe Fatmir Selimi. Në fund para të pranishmive u shfaq një program i pasur kulturor artistik i plotësuar me interpretimet e Besiana Mehmetit dhe vllezërve Dervishi, si dhe vallet e SHKA “Jusuf Albani”.