Besimi i aktorëve ekonomikë ka pësuar rënie në tremujorin e fundit të vitit 2011. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie me 7.9 pikë përqindjeje dhe qëndron 16.5 pikë përqindjeje poshtë mesatares afatgjatë.
Përkeqësimi u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që në përmirësim të ulët rezultoi besimi në sektorin e industrisë dhe besimi konsumator. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi në tremujorin e katërt të vitit 2011 vlerën më të ulët historike.
Kjo rënie u përcaktua nga vlerësimet negative për të gjithë përbërësit, duke filluar nga kërkesa, situate e prodhimit dhe deri te situata e punësimit. Në rënie akoma më të fortë ishte treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve, që për tremujorin e katërt u ul me 10.4%, duke arritur edhe ky tregues, minimumin historik.
Gjendja e përgjithshme e biznesit, gjendja financiare dhe gjendja e punësimit rezultuan të gjitha në përkeqësim, çka shkaktoi rënien drastike të treguesit të besimit në këtë sektor. Në rritje me 0.8 pikë përqindjeje rezultoi treguesit i besimit në industri. Përmirësimi erdhi si rrjedhojë e vlerësimeve më pozitive të bizneseve të sektorit për situatën e punësimit dhe për gjendjen e inventarëve.
Treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit për të dytin tremujor radhazi, me 3.1 pikë përqindjeje. Përmirësimi i këtij treguesi reflekton balancën pozitive të blerjeve në shuma të mëdha, por edhe përmirësimin e situatës së kursimeve. Por, brenda këtij treguesi, konsumatorët kanë pritshmëri në rënie për gjendjen financiare të familjeve të tyre në fillimin e vitit 2012.
Tuesday, 17 January 2012 13:30