Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 14:00

Kantautori i madh italian ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm për shkak të një arresti kardiak.

Bota e muzikës tashmë është në zi për kantautorin e madh që vetëm para pak javësh u shfaq në festivalin e madh italian “Sanremo”, në një bashkëpunim me Davide Carone për këngën “Nani”.

Një lajm që i ka lënë pa fjalë të gjithë admiruesit e tij, në një kohë ku vetëm pas 3 ditësh do të festonte 69-vjetorin e tij.

Lucio i cili sapo kishte përfunduar një tur koncertesh në Zvicër, mësohet të jetë zgjuar mjaft mirë, të ketë ngrënë mëngjes, bërë disa telefonata dhe menjëherë të kaplohet nga shtrëngimi në zemër.

Në profilet sociale miqtë dhe fansat kanë filluar të shprehin ngushëllimet për të madhin e muzikës italiane. Jovanotti, këngëtari i popit, ka komentuar në profilin e tij, “Jo, të lutem jo… Nuk mund ta besoj…”.

Kënga më e njohur e Lucio Dalla-s është “Caruso”, versione të të cilës u kënduan edhe nga Luciano Pavarotti e Andrea Bocielli, duke u kthyer në suksese të padiskutueshme. Interpretimi i Pavarotit shiti rreth 9 milionë kopje, ndërsa pak më vonë versioni i Bociellit u shit në 16 milionë kopje në mbarë botën.

Hiti i parë i Lucio Dalla-s ishte “1 mars 1943” (ditëlindja e tij), një këngë që njohu suksesin në Festivalin e Sanremos e që do të bëhej e njohur me titullin “Gesu bambino”. (LajmeShqip.com)