Tiranë – Ndërmarrjet e mëdha, me mbi 50 të punësuar, ndonëse zënë vetëm 1% në totalin prej 97.436 ndërmarrje aktive në ekonominë kombëtare, kryesojnë për nivelin e punësimit me 42%, çka orienton zhvillimin e tyre në perspektivë.
Sipas INSTAT-it, në gjithë vendin janë 838 ndërmarrje të mëdha me mbi 50 të punësuar, ku pjesën më të madhe e zënë ato në sektorin e shërbimeve.
Periudha kur janë krijuar më shumë ndërmarrje të mëdha, 240 të tilla janë vitet 2005-2009. Në periudhën 2000-2004 u krijuan 171 të tilla, në vitet 1995-1999 u hapën 183, ndërsa në vitin 1994 ishin 232 gjithsej.
Janë 440 ndërmarrje të mëdha si prodhues të shërbimeve në gjithë vendin, prej të cilave, 73 janë në sektorin e tregtisë, 41 në sektorin e transportit dhe komunikacionit si dhe 16 në sistemin hoteleri-restorant-kafene.
Ndërmarrjet e mëdha, që merren me prodhimin e të mirave materiale, mbizotërojnë në sektorin e industrisë me 282 të tilla, kryesisht në fasonin e veshjeve dhe këpucëve e më pas vjen sektori i ndërtimit me 105 kompani.
Saturday, 28 January 2012 13:00