Bruksel-Duket se është gjetur një zgjidhje për të lejuar kalimin e ndihmave ruse për në territorin e Kosovës.
Siç raporton REL, Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje me qeverinë e Rusisë për të siguruar depërtimin e konvojit me ndihma humanitare nga Rusia, ndihma këto të cilat do ti jepen serbëve të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane Kethrin Ashton, e cila megjithatë nuk ka dhënë ndonjë hollësi se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë saktësisht.
Sipas saj, KE është në kontakt me të gjitha palët e përfshira, me qëllimin që marrëveshja e arritur të zbatohet.
Konvoji i përbërë nga 27 kamionë, për të tretën ditë me radhë është duke qëndruar në vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe është shndërruar në çështje debatesh politike.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka ofruar dy opsione para autoriteteve ruse; opsioni i parë ka të bëjë me përcjelljen e policisë kur bëhet fjalë për një konvoj kaq të madh ndihmash dhe opsioni i dytë është shfrytëzimi i vendkalimit kufitar në Merdare.
Të dyja mundësitë, janë hedhur poshtë nga ambasadori rus nëBeograd, Aleksandër Konuzin, i cili ka akuzuar EULEX-in për njëanshmëri.
Një ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se ndihmat ruse nuk do të lejohen të kalojnë pa respektuar procedurat.
Thursday, 15 December 2011 10:20