Lajme Shqip Sunday, 10 June 2012 15:24

Prishtinë – Nexhat Demaku mund të ketë fat të njëjtë me Xhabir Zharkun e Bajrush Xhemajlin. Po akuzohet për vepër penale të dënueshme deri në dhjetë vjet burgim.

Kundër Demakut, kryetar i Komunës së Drenasit, ka nisur tashmë një proces gjyqësor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në bashkëkpunim me dy zyrtarë të tjerë komunalë. Aktakuza e ngritur nga prokurorja e Qarkut të Prishtinës, Drita Hajdari, është konfirmuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Nuk është mbajtur ndonjë seancë deri tani.

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku (1976), që është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, akuzohet se ka kryer këtë vepër penale, duke mos respektuar vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës, të cilat e detyronin që t’ia njihte të drejtën pronësore të një toke në Drenas familjes Hasi.

Në njërën prej këtyre pronave Komuna tani është ndërtuar një shkollë fillore dhe një e mesme e ultë, ani pse prona ishte e kontestuar. Të akuzuar bashkë me të janë edhe drejtori i Kadastrës, Mehdi Kurrumeli (1960), dhe referenti në Drejtorinë e Kadastrës, Shefqet Morina (1958). (LajmeShqip.com)