Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 17:30

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) është njoftuar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen që ka mbajtur sot, më 23 dhjetor 20011, ka vendosur që të heq pengesat të cilat nuk mundësonin qasjen e gazetarëve në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës dhe në punimet e seancave plenare.

Duke kuptuar se vendimet e sotme të Kryesisë i mundësojnë gazetarëve punë të dinjitetshme në ndërtesën e Kuvendit, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka vendosur që të shfuqizojë thirrjen për bojkot të punës së Kuvendit nga anëtarët gazetarë dhe mediat.

AGPK falënderon të gjithë anëtarët gazetarë dhe mediat për solidarizimin unanim me thirrjen e asociacionit për bojkot.

AGPK shpreh besimin se gazetarët do të respektohen nga institucioni më i lartë i vendit dhe nuk do të ketë më raste kur ata të trajtohen pa dinjitet.

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) e përshëndeti vendimin e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e rregullores për qasjen e mediave në këtë institucion, por konsideron se ndalesa për të fotografuar dhe xhiruar në Holl të Kuvendit është e papranueshme.

Menjëherë pas këtij vendimi të kryesisë, një numër i kolegëve tanë, fotografë dhe kameramanë kanë shprehur ankesat e tyre në lidhje me këtë kufizim që pamundëson punën e tyre.

UGK, kërkon nga kryesia e Kuvendit të Kosovës që edhe një herë të rishqyrtoj këtë vendim pasi në këtë mënyrë, diskriminohen gazetarët e televizioneve dhe gazetave të cilëve në mënyrë të pashmangshme iu duhen pamjet për të realizuar storiet e tyre.