Lajme Shqip Thursday, 05 July 2012 16:26

Janë imazhe që kanë nisur të bëjnë xhiron e botës, vetëm pak ditë pasi ka nisur xhirimi i filmit mbi jetën e Princeshë Dianës që përfundoi tragjikisht.

Aktorja britanike Naomi Watts prej disa ditësh është ngjitur në sheshin e xhirimit për filmin e regjisorit Oliver Hirschbiegel, regjisor kandidat për çmim OSCAR, dhe për aktoren flitet në media për një imazh perfekt në rolin e princeshës, e cila u shua në një aksident rrugor.

Konkurrenca mes aktoreve hollivudiane për këtë rol ka qenë jo e paktë, por duket se që në nisje regjisori ka ditur mirë se cilën prej tyre ka dashur, andaj edhe prej muajsh Naomi Watts ka mësuar gjithçka mbi jetën e princeshës, sjelljen e saj, vështrimin dhe qëndrimin për të sjellë këtë imazh, atë të ngjashmërisë perfekte mes aktores që e portretizon dhe princeshës për të cilën flet ky film.

Skenari i filmit i është besuar Stephen Jeffreys, i cili ka shkruar shumë për familjen mbretërore dhe specifikisht për rastin Diana.

Ndërsa përkrah aktores Watts, e cila mban peshën kryesore të filmit, interpretojnë të tjerë aktorë si Naveen Andrews, Douglas Hodge dhe Juliet Stevenson.