Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 13:43

Prishtinë-“Nëse opozita bashkohet, mund ta rrëzojmë qeverinë e Hashim Thaçit që nesër”. Kështu ka deklaruar kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një interviste për “Kohën Ditore”.

Kreu i partisë më të madhe në opozitë shprehet për një sërë çështjes mes të cilave edhe për rolin e opozitës në Kuvend që sipas tij duhet të bëjë më shumë.

“Ne mundemi që nesër të rrëzojmë qeverinë, në qoftë se bëhemi bashkë”-ka deklaruar Mustafa në këtë intervistë. Por, sipas tij, aktualisht duhet një vëmendje më të madhe në procesin e reformës për zgjedhjet presidenciale dhe ato kombëtare.

Mustafa ka thënë të mos ketë pretendime për të kandiduar për postin e presidentit, zgjedhja e të cilit, sipas tij, do të bëhej edhe në 2013-n nëse nuk pastrohen listat zgjedhore dhe nuk garantohet pjesëmarrje e mjaftueshme e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Ka folur edhe për zgjedhje nacionale ku nuk e ka përjashtuar mundësinë se në to do të mund të hyjë si koalicion parazgjedhor me AAK-në, apo edhe me ndonjë parti tjetër. E, ajo për çka ka garantuar është se, kandidati i LDK-së do të bëhet kryeministër në rast se ky subjekt politik do të jetë në Qeveri.