Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 16:30

Prishtinë – Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar shtyrjen e ratifikimit të marrveshjës me Serbinë.

“Kryeministri ka kërkuar të shtyhet pika e rendit të ditës, projektligji për ratifikim të marrëveshjes, për një nga seancat e radhës për shkak të udhëtimit në Bruksel”, ka thënë Kuçi për epoka e re.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë nuk do të miratohet gjatë kësaj jave.

Ndonëse ishte paralajmëruar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme për të votuar këtë projektligj, burime të Kosovapress, bëjnë të ditur se marrëveshja do të shtyhet për fillimin e javës së ardhshme.

Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës dhe dhënies së dritës së gjelbër në Komisionin për Legjislacion, ka mbetur që edhe Kuvendi të ratifikoj këtë marrëveshje.

Mirëpo të hënën kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur që të thërras një seancë të jashtëzakonshme për të ratifikuar marrëveshjen.

Ishte paralajmëruar që ajo të dal për votim nesër në seancën e rregullt. Por vizita e kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi për në Bruksel, ku pritet të takoj homologun e tij, Ivica Daçiq, ka bërë që të shtyhet edhe ratifikimi i marrëveshjes.

“Kryeministri ka kërkuar që të shtyhet pika e rendit të ditës Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për një nga seancat e radhës për shkak të udhëtimit në Bruksel”, shkruan Kosovapress.

Sipas gjitha gjasave ky Projektligj mund të dal në seancë ditën e hënë apo të martë për votim.

Po ashtu burimi thotë se kërkesa është e koordinuar edhe me liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, kryeministri ka takuar ambasadorët e Quintit dhe liderët e dy partive opozitare, duke u dakorduar që ratifikimi të mbetet për javën e ardhshme.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshje duhet të votojnë 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, përkrahje kësaj marrëveshje i kanë dhënë edhe dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtoj këtë Projektligj, madje duke mbajtur aksion ditën e mbrëmshme.

Ndërsa për një nesër pritet të organizoj një demonstratë për të kundërshtuar këtë marrëveshje