Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 15:55

Filmi “Niçije Dete” me regjisor Vuk Rshumoviq të mërkurën do të hapë “Muajin e Beogradit në Prishtinë”.

Artistë nga Serbia do të shpalosin veprat e tyre në Prishtinë dy amuj pas mbajtjes së “Muajit të Prishtinës në Beograd”, aktivitet ky që organizohet nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Qendra Liberale Demokrate në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.

Aktiviteti që do të zhvillohet nën moton “Intercultural Icebreakers” (Thyerja e akullit ndërkulturor) do të vazhdojë me debatin “Poezia e grave dhe vlerat patriarkale në Serbi dhe Kosovë”. Sipas organizatorëve, megjithëse në fokus është bashkëpunimi kulturor, qëllimi i këtij festivali është hapja e dy shoqërive ndaj njëra-tjetrës.

“Ne jemi fokusuar në komunikimin ndërkulturor.

Kjo është pjesa më e lehtë për krijimin e marrëdhënieve midis dy shoqërive që kanë pasur konflikt të armatosur në të kaluarën”, ka thënë Granit Gashi nga Qendra Liberale Demokrate në Prishtinë, i cili është edhe koordinator i projektit. Sipas tij, bashkëpunimi është shumë i mirë për promovimin e një paqeje të qëndrueshme midis dy popujve.

“Ky aktivitet është një hap i mirë drejt bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Gashi.

Pos ekspozitave deri në ditën e 16-të të shtatorit do të ketë edhe aktivitete të tjera, si tribuna “Migrimet dhe kultura”, “Jugosllavia si histori – rasti i Kosovës”. Po ashtu do të shfaqet filmi “Rabbitland” me regji të Ana Nedelkoviq dhe Nikola Majdak. Aktivitetet do të përmbyllen me koncertin e këngëtares serbe Ana Çurçin.

Në “muajin e Prishtinës në Beograd pos filmit “Ballkoni”. me regji të Lendita Zeqirajt , gjatë festivalit publiku në Beograd kishte pasur mundësinë të shihte edhe filmin “Të mjerët”, me regji të Genc Berishës. Gjatë qershorit ishin treguar aspekte të ndryshme të kulturës kosovare në Beograd. Ishin hapur ekspozita dhe ishin mbajtur performanca. “Muaji i Prishtinës në Beograd” ishte përmbyllur me koncertin e Shpat Dedës.