Vendosja e stentave në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK qe gati një vit ka bartur edhe rrezikun eventual për jetën e pacientëve në mungesë të kardiokirurgëve në klinikë, ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka deklaruar se me rifunksionalizimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë do të “eliminojë” këto rreziqe dhe se puna e Klinikës së Kardiologjisë do të ndihmohet nga ajo e Kardiokirurgjisë. Kur do të ndodhë një gjë e tillë, në Ministri nuk e dinë saktë.
“Së shpejti. Unë nuk mund të flas me data, por e di që shumë shpejt do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Sadiku. Ndonëse është i bindur se brenda këtij viti kjo klinikë do të hapet, ai ende nuk e di se kush do të jetë kardiokirurg i kësaj klinike.
“Ne i kemi dy opsione për kardiokirurgë. Në muajin shtator do të dalim me informatat e sakta se si do të vazhdojë kjo çështje më tutje”, tha ai.
Saturday, 22 August 2015 09:29