Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 13:50

Tiranë – Fondet e mirëmbajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore në vend janë të pamjaftueshme, ndaj Instituti i Monumenteve të Kulturës do të japë një pjesë të tyre me qera për biznesin.

Sipas drejtorit të këtij institucioni, Apollon Baçe, kjo nismë do të lehtësojë barrën e buxhetit të shtetit, pasi 80 % e shpenzimeve do të përballohet nga biznesi që do të lejohet të kryejë aktivitete tregtar, por me disa kushte.

“Kushtet janë të qarta pasi ka bazë ligjorë. Do të vilet një lloj takse për këto objekte, por nëse biznesi ka bërë investime në restaurimin e këtyre objekteve kulturore, shuma do të hiqet nga qeraja. Rregullat janë të përcaktuara”, është shprehur Baçe, në një prononcim për mediat.

Monumentet e para të kulturës që mund të jepen me qera dhe për të cilat ka një projekt tashmë janë: Kalaja e Lezhës, Kalaja e Ndroqit dhe kullat e Kalasë së Elbasanit. Janë një sërë objektesh, 30-40 që janë në pronësi të shtetit dhe të vizitueshëm dhe që do të jepen me konçension me afat nga 20-99 vjet. IMK ka një listë të këtyre objekteve kulturore dhe që pritet të përfundojë pas miratimit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Projektet do të përgatiten nga Instituti i Rivitalizimit dhe për të kontrolluar biznesin do të ketë një kolaudator dhe një supervizor për të parë nëse janë bërë në rregull ndërhyrjet.

“Nëpërmjet këtyre dy elementeve ne i ndjekim gjatë gjithë kohës që të mos ketë devijime nga projekti fillestar pasi ka sanksione dhe nuk lejohet që objekti të tjetërsohet”, është shprehur Apollon Baçe.

IMK ka bërë publik pak ditë më parë edhe programin e rivitalizimit të disa monumenteve të rëndësishëm në vend, në bashkëpunim me BE, PNUD, TIKA.