Beograd – Djali i Ratko Mlladiqit ka thënë se i babai i tij ka pasur dy goditje në zemër derisa ka qenë në arrati, dora e djathtë e tij është pjesërisht e paralizuar dhe mezi flet.
Darko Mlladiq, e ka vizituar sot të atin në burg, në Beograd, ku Ratko Mlladiq e ka kaluar natën pas arrestimit të tij në një fshat në veri të kryeqytetit serb.
Mlladiq do të duhej të paraqitej në gjykatë sot për një seancë të dytë dëgjimore rreth ekstradimit të tij në Tribunalin e Hagës, nga i cili akuzohet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 – 1995.
Seanca e parë e marrjes në pyetje është suspenduar të enjten pasi avokati i tij ka thënë se Mlladiq nuk është në gjendje të komunikojë për shkak “të gjendjes së tij të rëndë psikike”.
Akuza kundër Mlladiqit përfshin akuzën për gjenocid në masakrën e 8 mijë burrave dhe djemëve të rinj boshnjak në Srebrenicë, në vitin 1995. Ky krim ishte konsideruar më i rëndi në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Saturday, 28 May 2011 16:28