Mitrovicë- Informacione kontradiktore vijnë nga dy pikëkalimet kufitare në veriun e Kosovës sa i përket funksionalizimit të tyre, ndërsa askush nga institucionet përgjegjese të Kosovës nuk ka informacion se ç’farë ka ndodhur me fatin e Bojan Jakovleviçit, për të cilin thuhet se është arrestuar apo rrëmbyer në Leposaviç nga policia e Serbisë. 
Sipas informacioneve bëhet e ditur se rrugët ilegale që janë hapur gjatë verës së shkuar nga grupe kriminale serbe në afërsi të dy pikalimeve kufitare në veriun e Kosovës në G 1 në Jarinjë dhe G31 në Berrnjak, po shfrytëzohen nga persona që lëvizin nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.
Ndërsa të enjten Xhandarmëria e Serbisë ka nisur një aksion për t’i mbyllur këto rrugë ilegale si dhe për t’i drejtuar personat dhe mallrat në pikalimet legale.
Burimet të tjera kanë theksuar për portalin se hyrja nga Serbia në Kosovë bëhet përmes rrugëve alternative ndërsa dalja nga Kosova në Serbi bëhet përmes pikalimeve kufitare legale G 1 dhe G31.
Në anën tjetër zyrtarë policorë në Mitrovicë nuk kanë asnjë informacion në lidhje me fatin e Bojan Jakovleviçit. Jakovleviç të enjtën është rrëmbyer apo arrestuar nga Policia e Serbisë në Leposaviç dhe sipas burimeve ai tashmë është dërguar në Serbi.
Friday, 24 February 2012 13:55