Lajme Shqip Sunday, 29 January 2012 19:00

Prishtinë -Të gjitha rrugët e fshatrave në komunën e Mitrovicës, përfshirë edhe ato të zonave të thella malore të Shalës së Bajgores, pas reshjeve të shumta të dëborës, janë zhbllokuar.

Sipas Rasim Veselit, drejtor për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në komunën e Mitrovicës, trashësia e dëborës në shumë zona të thella ka arritur deri në dy metra.

“Shumica e fshatrave qenë bllokuar nga dëbora e madhe, prandaj jemi detyruar të angazhojmë katër kompani shtesë për pastrimin e rrugëve”, tha ai.

Fillimisht është ndërhyrë në lagjet dhe fshatrat e veriut, si në Suhadoll, Kroin e Vitakut, Lagjen e Doktorëve, Vidimriq, Gushavc, Vinarc etj. Më pas është ndërhyrë në fshatrat Vaganicë, Vërrnicë, Kqiq, Shupkovc, për të vazhduar në zonat më të thella. Në fshatrat e Shalës trashësia e dëborës ka qenë shumë e madhe dhe është dashur të ndërhyet me makineri të rënda.

“Në përgjithësi tani është një situatë më e mirë në të gjitha rrugët e komunës”, tha Veseli, duke shtuar se gjatë fundjavës është hedhur kripë edhe nëpër trotuaret e rrugëve të qytetit.

Drejt fshatrave shqiptare të komunës më veriore të Kosovs, Leposaviçit, deri me tani është pastruar rruga deri në fshatin Koshtovë.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se ajo pjesë e rrugës është pastruar nga një kompani e angazhuar nga KFOR-i, ndërsa komuna ka marrë përsipër vazhdimin e pastrimit të rrugëve në drejtim të fshatit Cerajë dhe Bistricë.

Ai tha se kanë bërë gati edhe një kontigjent me ushqime për banorët e këtyre fshatrave, që pritet të dërgohen me ndihmën e KFOR-it. (LajmeShqip.com)